tetova-juve
  RISSI - Reth Del Pieros
 

Del Piero: Historia e një jete plot suksese

 

 

 

Tërhequr më 28 Mars 2009

Dhoma është e gjitha e bardhë dhe Alesandro del Piero hyn duke buzëqeshur, ndërsa në dorë mban një lodër. Është një kositëse bari plastike. Me një familje që do të shtohet me një tjetër anëtar, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një fëmijë i vogël nëpër këmbë dhe një tjetër që pritet të vijë shumë shpejt, por mbi të gjitha, një baba që ka shumë dëshirë për të luajtur. Nga një fëmijë province, në një yll në rang botëror, nga i sëmurë pas topit, te jeta e re në rolin e babait. Historia e një jete të mbushur me suksese dhe surpriza. 


Të kujtohet Alesandro fëmijë, kur ishe shtatë apo tetë vjeç? Me se merrej?

Mendonte për futbollin. Sporti më ka pëlqyer gjithnjë. Luaja pak basketboll, pak tenis, megjithatë futbolli ishte sporti im i preferuar. Një pasion i jashtëzakonshëm. Isha në shkollë dhe mendoja për topin, haja bukë me topin e futbollit me vete dhe mezi prisja që të dilja jashtë të luaja. 

Kushedi sa të kënaqur janë prindërit e tu?

Kanë qenë dy prindër fantastikë, sepse nuk më kanë sforcuar kurrë në atë që bëja. Ky ishte gabimi i tyre më i madh. Sjellja e prindërve është vendimtare për fëmijët sportistë. Unë kisha edhe shembullin e vëllait tim më të madh, Stefano, që lunte te skuadra e të rinjve me Lipin. 

Çfarë ndodhte në kopshtin tënd?

Shpesh luaja vetëm, por për këtë, duhet shumë imagjinatë. Isha një kampion i Juves. Ia pasoja topin Kabrimit, Tardelit dhe luaja vetëm për vetëm me Platininë. 


Vërtet? Del Piero dhe Platini vetëm, ky po që është lajm...

Juventusi i kopshtit tim kishte futbollistë të mëdhenj: sot Maradona, të nesërmen Van Basteni, të pasnesërmen Ziko e Gulit

Po ti ku qëndroje, në qendër?

Unë bëja gola.

Ke ndonjë kujtim të parë me topin?

Turneun e parë me një uniformë të vërtetë verdhë e blu me skuadrën e shkollës. Bluja dhe e verdha ishin ngjyrat e Koneljanos. Ngjyrat e bluzave, të gjitha njëlloj, nënkuptojnë një skuadër. Atë turne e humbëm në fund me penallti. Ndodh, nuk ishte hera e parë. 


Si ishte jeta në provincën e krahinës së Venetos? 

E thjeshtë dhe me ritme të rregullta. Të gjitha familjet e konsideronin shkollën si gjënë më të shtrenjtë. Kishte shumë solidaritet mes njerëzve. Sot, mendohet se një njeri i mirë është budalla, por mirësia është thelbësore. Në qytet është më e vështirë, ka ritme të tjera, të gjithë kërkojnë më shumë. Me pak fjalë, ka rrëmujë.

Je larguar nga shtëpia 13 vjeç. Ke derdhur lot?

Jo, isha i magjepsur. Të qëndroje në Padova ishte një tjetër ndjesi. Pastaj largimi ishte i domosdoshëm për të provuar se ishe vërtet një futbollist. Viti i parë ishte i vështirë. Isha një djalë i turpshëm, i tillë jam ende. Jetonim 14 veta në një dhomë, shkonim hanin drekë në mensë, sapo ktheheshim nga shkolla: thjesht e paimagjinueshme. Megjithatë, vetëm kështu mund të rritesh. Isha më i vogli në moshë dhe trup. Fillimi ishte me të vërtetë i vështirë. 

Mendove ndonjëherë të ktheheshe te familja? 

Unë jo, por te Padova e kishin me dy mendje nëse duhej të qëndroja apo jo. Prisnin më shumë nga unë. Sot, jam i kënaqur që ndenja aty dhe nuk u largova.

Kur e kuptove se ishe Del Piero?

Kur luajta në skuadrën e Padovës dhe u përballa me futbollistë të kalibrit të Albertinit, Di Livios, Benarrivos, Galderisit. Më krahasonin me ta. 

Mendon se ke qenë një djalë i mirë për familjen?

Them se po. Ime më kujton se kur nisesha për të marrë trenin, më këshillonte: "Ki kujdes, qëndro afër me njerëzit e tjerë". Pastaj të dy vinin të më takonin në Padova. U thosha gjithmonë: Kini kujdes. Nëna ime thotë se në ato momente e kishte kuptuar se isha rritur. Ndodh sa herë që fëmijët kujdesen për prindërit dhe jo e kundërta. 

Po tani, si e ndjen veten në rolin e babait? 

Eh, nuk është botë e lehtë, edhe pse fëmijët e mi do të kenë shumë përparësi. Megjithatë, do të përpiqem t‘u mësoj se të hash duhet të punosh.

Një përvojë personale? 

Jam krenar për tim atë, që punonte si elektricist dhe për time më që lante të gjitha shtëpitë e Koneljanos. Jam i lumtur që kam pasur atë fëmijëri, ku dëshirat ishin në raport me mundësitë, asnjëherë më shumë. Kur vinte vera, dilnim nëpër fusha, vilnim qershi nga pema, gjithmonë me topin me vete. Kohë jashtëzakonisht të bukura.

Çfarë mendon kur dëgjon fjalën krizë?

Edhe pse u bëra i pasur, mendimi për jetën është i njëjtë. Paratë zgjidhin një sërë problemesh praktike, por njoh shumë të pasur që nuk janë të lumtur. Kjo është e vërteta. Në këtë botë, ka vetmi dhe shpesh edhe depresion. Jemi njerëz me ndjenja dhe ndonjëherë edhe të brishtë. Ka nga ata që i dhurojnë për bamirësi, apo nga ata që i harxhojnë kot. 

E ke menduar ndonjëherë largimin nga futbolli?

Shpesh. Nuk mund të jem gjithnjë numri 10 i Juventusit, duhet të mendoj për jetën e përditshme, për të ardhmen, edhe pse nuk e mendoj dot veten pas dhjetë pas njëzet vjetësh. 

Ti je një nga idhujt e Juventusit? 

Jam i lumtur për këtë dhe nuk ndiej keqardhje që nuk jam joshur kurrë nga ofertat e Realit të Madridit apo Mançesterit. 

Po në Kombëtare, do të luash ende?

Lipi ishte shumë i qartë kur tha se ka nevojë për të parë fytyra të reja, por këtë nuk e jetoj si një problem dhe as si një humbje përfundimtare. Të paktën Lipi nuk ma ka thënë.

Mendon se Juve e ka zgjedhur trashëgimtarin tënd? Çdo të ndodhë nëse vjen Kasano?

Pa ofenduar askënd, mund them se nuk i trembem as ardhjes së Kasanos, e as të ndonjë tjetri. Megjithatë, nuk shoh konkurrencë të pamëshirshme. Kemi role të ndryshme dhe së bashku mund të "bashkëjetojmë". 

Kush është sot Alesandro del Piero?

Një profesionit futbolli që dashuron sportin, stërvitet shumë dhe kërkon të aktivizohet. Shpresoj që të jem edhe një njeri serioz që ka pasur shumë fat në jetë, sepse e ka merituar.

Çdo të thotë të jesh i famshëm?

E ndjen sidomos nëpër aeroporte apo restorante, kur të vijnë dhe të kërkojnë autografe apo të shkrepin foto pa të pyetur. Pastaj vjen dita kur kupton se ka edhe më të famshëm se ty. Mua më ka ndodhur kur takova Bonon. U paralizova nga emocionet. 



golashenuesi i 2-te ne bote


 Aleksandro Del Piero pritet t'i bashkohet elites se lojtareve qe kane shenuar me teper gola ne karriere. Pipo Inzagi festoi ndaj Sienes golin numer 300, ne karrieren e tij si futbollist. Larg Super-Pipos, me 12 gola ndodhet Del Piero. Megjithate, edhe per numrin e golave ka diskutime, sepse jane disa kompeticione, ku perfshihet ose jo edhe kupa e Italise, apo ndeshjet miqesore, nje pjese e te cilave nuk jane ne kalendaret zyrtare.

                DELPIERO LOJTARI ME I  PREFERUAR I SERISE 
    
            
.
Alesandro del Piero është lojtari më i preferuar në Serinë A. 
"Pinturikio" u rendit në krye të një sondazhi të organizuar nga revista e fotografive të futbollistëve, Panini, duke mundur Bufon, Ibrahimoviç, Lavecin dhe Kakanë. Më shumë se 200 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë sondazh, duke votuar në faqen zyrtare të kompanisë nga Modena, ose nëpërmjet telefonit. Del Piero ka marrë 9916 vota, duke u renditur përpara shokut të skuadrës te Juventusi, Bufon. Ibrahimoviç ishte i treti mes të preferuarve, përpara Lavecit dhe Kaka.




DELPIERO MBAS PESE VJETESH DO TE LARGOHEM NGA JUVENTUSI 

 

Alesandro del Piero është 34 vjeç dhe ka nisur të luajë me "Zonjën e vjetër" që në moshën 21-vjeçare. Ai është kapiteni dhe lojtari më i dashur për bardhezinjtë, njeriu që nuk e ka braktisur kurrë, madje as atëherë kur iu desh të luante në Serinë B për një vit. "Mendoj se do t‘i them lamtumirë futbollit pas pesë vjetësh, i veshur si gjithnjë me fanellën e Juventusit. Por deri atëherë, ka ende kohë", tregon futbollisti.

 

Del Piero, për ju po mbyllet një vit i jashtëzakonshëm me suksese personale, surpriza të mëdha dhe një popullaritet që ndoshta nuk e keni përjetuar më parë. Le ta nisim nga nderimi i publikut të Bernabeut, i cili ju duartrokiti i ngritur i gjithi në këmbë, ndërsa ju largoheshit nga fusha në ndeshjen me Realin e Madridit... 
Për mua, ajo është pasqyra e vitit 2008, ngjarja më emocionuese dhe domethënëse, rezultati i një ndeshjeje të jashtëzakonshme. E meqë është një nderim që u është bërë shumë pak lojërave të mëdhenj, do ta mbaj "fort" për të gjithë jetën. 
Pas 15 vjetësh gjatë të cilave ju kanë dashur vetëm juventinët, papritur ju i pëlqeni thuajse të gjithë tifozëve. Çfarë ka ndodhur?
Mendoj se të gjithë kanë parë angazhimin dhe dashurinë që kam treguar në çaste të vështira dhe zgjedhje të caktuara. Kjo nuk ndodh menjëherë, por me kalimin e kohës. Njerëzit më kanë vlerësuar dhe ndihmuar në këto vite të mrekullueshme: dy herë golashënuesi më i mirë dhe shumë gola që ndezin fantazinë. 
Tani keni nisur të shënoni më shumë se në të kaluarën...
Nuk e di. Pak a shumë, loja është e njëjtë dhe roli im është ai si sulmues si dytë. Përkundrazi, ndonjëherë largohem më shumë se më parë nga porta. Vitet të perfeksionojnë. Ato që kanë ndryshuar janë goditjet që kam provuar në stërvitje dhe studiuar në video. 
Në video?
Një prej sekreteve të një futbollisti modern është që të shfrytëzojë imazhet. Ky është avantazhi që kemi ndaj kundërshtarëve të dikurshëm. 
Sa kohë i kushtoni? 
Jo shumë, por kohë "cilësore". Kam ditë të caktuara kur mbyllem për disa orë në shtëpi dhe shoh videot e kundërshtarit. Zakonisht të premten dhe të shtunën, nëse të dielën kam ndeshje. Po ashtu, studioj edhe ndeshjet e Juventusit për të kujtuar lëvizjet. Në kampionatin e kaluar, kam bërë katër a pesë gola me të njëjtën skemë. 
Por rezultatet nuk ishin të jashtëzakonshme. Çfarë ka më shumë tani? 
Këto vitet e fundit, kam arritur të kem një formë të mirë fizike. Kam ndjekur një përgatitje specifike, nuk ka pasur ulje-ngritje forme apo shëndeti. 
A kishte të drejtë Kapelo kur shprehej se e "aktivizoj pak në lojë, në mënyrë që t‘i zgjasë karrierën?" 
Dikush e mendon edhe kështu. Por dikush tjetër mendon se, nëse jam kaq në formë tani që jam 34 vjeç, mendo se si mund të isha kur kisha katër vite më pak. 
A ju ka mbetur ndonjë gjë nga ajo periudhë? 
Kam harruar gjithçka. Gjërat lëvizin sipas mënyrës së tyre, por e rëndësishme është që në fund të rregullohen. 
Të mos tërhiqesh në një moshë të caktuar është sindromi i Piter Panit për t‘u mos u ndjerë "plak"? 
Nëse ai sindrom ekziston vërtet, unë nuk vuaj. Jam i bindur se të mos jem më futbollist do të jetë ndryshe, por nuk kam frikë. Do të më vijë edhe mua çasti për të hequr dorë, por ai nuk është sot. Ndoshta pas pesë vjetësh dhe vendin tim me siguri që do ta zërë Giovinco. 
Kur të largoheni, do të bëheni trajner? Cila është e vërteta? 
Nuk e di se çfarë do të bëj, nuk mendoj për këtë. 
Nuk ju kam dëgjuar kurrë të kundërshtoni? 
Nuk ndodh shpesh, madje shumë rrallë. Nga përvoja kam kuptuar se duke ngritur zërin apo duke kundërshtuar një trajner, nuk është se do të të dëgjojë më shumë. Duhet bërë vetëm atëherë kur është me të vërtetë e nevojshme. 
A mendoni se, nëse vazhdoni të luani ende për shumë kohë, do të përfundoni si Maldini, një kampion që sot gjendet në qendër të kritikave? 
Edhe sikur Maldini t‘i kishte luajtur tri vitet e fundit në një nivel jo shumë të lartë, nuk e harroj kurrë atë që ka bërë. Karrierat e mëdha nuk "zbehen" lehtë, madje edhe sot kur është në fushë, kam besim tek ai. 
Botërori mund të përfundonte gjithçka me krenari? 
Do të kishte qenë një rast shumë i mirë për t‘u tërhequr, çfarë mund të fitoja më shumë? Për t‘u larguar, duhet të kesh arsye të tjera, si për shembull kur nuk ke më dëshirë të qëndrosh në skuadër, apo të jesh pjesë e një projekti të përbashkët. 
Po Kombëtarja? 
Është një portë që shpresoj të jetë e hapur deri në vitin 2010, por për të cilën nuk dua të flas tani. 
Vetëm Interi është para Juventusit. Kjo do të jetë renditja përfundimtare? 
Nuk e mendoj kështu. Për shembull, Milani ka pasur si ne momente negative nga dëmtimet, por është gjithmonë në garë. 
D.m.th Interi do të jetë gjithnjë përpara? 
Interi, në krahasim me ne dhe Milanin, ka pasur një avantazh. Ka ndryshuar stafin teknik, por në thelb ka mbetur skuadra që ishte në vitet e shkuara me Mançinin.
Interi është e vetmja skuadër superiore ndaj Juves? 
Në ndeshjen që humbën në "San Siro", ishte më superiore. 
A ishte Ibrahimoviç më pak deciziv te Juve? 
Edhe te ne ka luajtur mirë, por tani është përmirësuar ndjeshëm.
A keni folur me të?
Jo, si me gjithë të tjerët që janë larguar nga skuadra. Megjithatë, mendoj se ekziston respekti mes nesh. 
A ka ndonjë lojtar nga e kaluara me të cilin do të dëshironit të luanit ende?
Sigurisht Zidane. 
Po jashtë fushës, kush ju mungon? 
Di Livio. U njohëm në Padova, ndanim dhomën bashkë. Ai ka qenë për mua një pikë referimi dhe së bashku jemi kënaqur shumë.
Dy vitet e fundit kanë qenë komplekse. A nuk keni pasur frikë se, me strukturën e re të skuadrës, nuk do të ishit në formë të përkryer? 
Pa besimin në aftësitë e të tjerëve nuk arrin të japësh maksimumin dhe nuk kisha asnjë dyshim se do të kishim ardhur në këtë pikë dhe në këto kohëra. 
Kampionati është i rëndësishëm, por ëndrra mbetet Kupa e Kampioneve? 
Sigurisht, por kemi shumë hapa për të bërë. Duhet të ecim ngadalë dhe me kujdes. 
Përshtypja është se ju, ashtu si Bufoni, Nedvedi, Kamoranezi, pas zgjedhjes për të qëndruar në Serinë B, ndiheni paksa "bashkëpronarë" të Juventusit?
Zotëroj disa aksione, por nuk mund të quhem i tillë. Megjithatë, ajo që ndodhi, na afroi më shumë me botën e Juves dhe ndihemi pjesë e saj. 

Ju jeni futbollisti italian më i kërkuar për reklama, bashkë me Gatuzon? A nuk ju duket e çuditshme që kjo i ndodh dikujt që e ka privatësinë parësore në jetë? 
Kam bërë gjithnjë reklama, argëtohem të futem me shpirtin e ndërmarrjeve me të cilat punoj. Edhe pse kam qenë i rezervuar me jetën time private dhe kam një grua që dikur nuk ka qenë vajzë spektakli, nuk më duket problem dhe as pengesë. 
A është Bekam modeli që dëshironi të ndiqni? 
Jo, ai është një përjashtim. Në jetën e tij kanë ndodhur shumë gjëra, duke nisur që nga martesa me një vajzë të botës së spektaklit, që e ekspozuan në qendër të thashethemeve larg futbollit dhe e shndërruan në personazhin që është tani. Nuk ka asnjë tjetër si Bekami, është një djalë simpatik në të gjitha aspektet. 
Para. Popullaritet. Si ka mundësi që shumë lojtarë e gjejnë veten në prag depresioni? 
Është një botë luftarake dhe për ne është e tillë në dy aspekte: e para është lufta për të fituar famë dhe emër në futboll dhe ajo që jeta e përditshme të sjell për të përballuar. Mban shumë gjëra brenda vetes që nuk mund t‘i shprehësh, edhe sepse jo gjithmonë ke pranë njerëz të cilëve u beson. Kështu ndodh gjithnjë.
Një argument që të varfrit e pranojnë me vështirësi? 
Me para nuk mund të kesh gjithçka. Kur im atë u sëmur, kisha paratë dhe njohjet për të gjetur mjekët më të mirë në botë, por nuk mund të bëja dot asgjë. Edhe pse isha Del Piero, isha i pafuqishëm. 

DELPIERO ME BESNIKU I ZONJES SE VJETER

 

Alesandro Del Piero, kapiteni dhe sim boli i skuadrës së Juventusit, vazhdon të pasurojë karrierën e tij sportive, ku përveç titujve, golave dhe prezencave të shumta, tashmë pret të thyejë një tjetër rekord. Sezoni i ardhshëm do të jetë i 16-ti për “Pinturikion”, duke lënë mbrapa në renditje legjendat e këtij formacioni si Xhampiero Boniperti e Bepe Furino (të dy me nga 15-të sezone të zhvilluara në Torino).

Historia e dashurisë ndërmjet Del Pieros dhe Juventusit filloi saktësisht 16 vjet më parë. Disa minuta përpara mbylljes së merkatos së lojtarëve, muaji gusht i vitit 1993, drejtuesit bardhezinj tregohen më të shkathët se ata milanistë, duke arritur një marrëveshje me drejtuesit e skuadrës së Padovës, për shërbimet e Aleks Del Pieros. Ai që drejtoi një marrëveshje të tillë, ishte pikërisht njeriu simbol i Juventusit për vite me radhë, Xhampiero Boniperti.

Duke e sjellë në Torino, Aleksin, përveçse humbi primatin si golashënuesi dhe lojtari me më shumë prezenca në historinë e skuadrës bardhezi, tashmë ai duhet t’i dorëzohet edhe viteve karrierë me këtë klub. Gjithsesi, nga ai moment, “Pinturkio” do të bëhej pjesë e histories së “Zonjës së Vjetër”, e cila është shpërblyer me besnikërinë e shfaqur nga numri 10 bardhezi ndër vite me radhë. Disa kohë më parë, kapiteni i shkruan një mesazh tifozerisë së tij:

“Jam i nderuar që jam juventin, një simbol I kësaj skuadre, edhe pse në të vërtetë jam vetëm një pjesë e vogël e histories madhështore që karakterizon flamurin bardhezi”. Praktikisht, jeta e tij si bardhezi filloi më 12 shtator të vitit 1993, ku Del Piero bëri debutimin e tij në parë në transfertën e Foxhias, ndeshje e përfunduar me rezultatin 1-1.

Gjithsesi, goli i tij do të vononte vetëm një javë më prapa. Më 19 shtator, në Dele Alpi, Del Piero do të shpjegonte saktë arsyet e vërteta që shtynë drejtuesit e lartë bardhezinj të besonin te një lojtar 19-vjeçar, kur ndërkohë, Juventusi përbëhej nga lojtarë të shkëlqyer si Xhanluka Viali, Fabricio Ravaneli e Roberto Baxhio.

Gjithsesi, koha vërtetoi se Xhampiero Boniperti kishte zbuluar pasardhësin e tij të denjë, madje të më të fortë se ai, nën emrin e Alesandro Del Piero. Tashmë, pas 15-të vitesh, kapiteni i “Zonjës së Vjetër” numëron, 560 ndeshje zyrtare me fanellën bardhezi për një shifër prej 242 golash. Shifrat mund të kishin qenë akoma më të mëdha, nëse do të fshinim nga karriera e tij dëmtimet e rënda të pësuara, por gjithsesi, Del Piero ka rigjetur gjithmonë forcën për të reaguar.

 

Përveç gjendjes fizike, ai ka ditur të reagojë kundër medias dhe akuzave të trajnerëve të ndryshëm, të cilët e quanin një lojtar të perënduar. Gjithsesi, ai vazhdon të luajë dhe të magjepsë me lojën dhe golat e tij.
 

Punuar nga Tetovari - Juve...
 
  Vetem sot kane hyre 4 visitorsCopyright© 2009 | www.tetova-juve.de.tl| All rights Reserved <?php woo_title(); ?> >
 
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free